Burgoset australiani pasi filmoi policët që po vdisnin

Një australian është dënuar me 10 muaj burgim për filmim dhe tallje të policëve derisa këta ishin të shtrirë për vdekje pas një aksidenti.

Muajin e kaluar, Richard Pusey, u shpall fajtor për akuzën e rrallë për cenimin e mirësjelljes publike si dhe vepra të tjera.

42-vjeçari ka qenë në mbajtje për afër 300 ditë, kështu që për disa ditë ai mbushë dënimin e dhënë.

Gjykatësi që i shqiptoi dënimin i quajti veprimet e tij, “të pashpirta, mizore dhe të turpshme”, shkruan BBC.

Familjarët e viktimave kanë mbetur të zhgënjyer për masën e dënimin që iu shqiptua në një rast që nxiti zemërim të madh të publikut.

Muajin e kaluar, gjykatësi Trevor Wraight ka thënë se media e ka portretizuar Puseyn deri në atë pikë sa ai ishte “me gjasë njeriu më i urryer në Australi”.