“Burgim i përjetshëm”

“Burgim i përjetshëm”| Çka parashohin ligjet e Kosovës për terroristët?

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar, eliminimi e tre prej terroristëve, trupat e të cilëvë tashmë janë gjetur.

Gjashtë persona rezultojnë se janë të arrestuar në lidhje me rastin. Gjithashtu, është sekuestruar një sasi e madhe e armatimit.

Por, cilat janë veprat penale, për të cilët janë të dyshuar, anëtarët e grupit kriminal, dhe çfarë denime parasheh Kodi Penal në të tilla raste?

Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës

Kjo vepër për të cilën po dyshohen anëtarët tashmë të arrestuar, në kodin penal të Kosovës është i paraparë sanksioni, burgim i përjetshëm.

“Kryesi i veprave penale nga nenet 113-127 të këtij Kodi dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, nëse kryerja e veprës: 1.1. rezulton në vdekjen e një apo më shumë personave;” – thuhet aty.

Sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës

Edhe kjo vepër, kur për synim ka rrezikimin e pavarësisë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, dënohet jo më pak se dhjetë vjet burgim.

“Kushdo që me përdorim të dhunës ose me kanosje të dhunës tenton të rrezikojë pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, tërësinë territoriale dhe karakterin demokratik të shtetit, dënohet jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim.”

Për këtë vepër, dënimi mund të varioj nga 10 deri në 20 vjet burgim.

“Kushdo që me qëllim të kryerjes së një apo më shumë veprave terroriste nga ky Kapitull, dërgon apo bartë grupe te armatosura, pajisje ose burime tjera materiale në ose jashtë Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej dhjetë (10) deri në njëzet (20) vjet.”

Një vepër tjetër, që siç u pa në pamjet që ekspozoi Policia e Kosovës, nga sekuestrimi masiv i armëve të grupit terrorist, por që ende nuk është përmendur nga Prokuroria, është Keqpërrrdorimi i emblemave ndërkombëtare.

Siç, kemi mundur ta shohim, në disa nga veturat e grupit terrorist, paraqitej emblema e KFOR-it, duke kamufluar veturat e tyre, që dyshohet se i përdornin për kryerjen e veprave penale.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, e parasheh edhe këtë vepër, në nenin 157 duke e sanksionuar me 3 vjet burgim.

Keqpërdorimi i emblemave ndërkombëtare

“Kushdo që keqpërdor ose mban pa autorizim flamurin apo emblemën e Kombeve të Bashkuara, të Kryqit të Kuq ose të Shoqërisë së Hënës së Kuqe apo simbolet që korrespondojnë me to apo ndonjë tjetër emblemë ndërkombëtare që njihet si mbrojtje e objekteve të caktuara nga operacionet ushtarake, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.” – thuhet aty.

I dyshuar edhe Radojiçiq

Emri i tij është pothuajse në secilën veprimtari kriminale në veri të vendit. Milan Radojiçiq dyshohej për kontrabandë. Dyshohej për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Dyshohej për organizimin e barrikadave e sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Radojiçiq tashmë është në mesin e të dyshuarve kryesorë se ka organizuar grupin terrorist i cili shtiu mbi policin Afrim Bunjaku, duke e lënë të vrarë.

Po i njëjti grup u fsheh në Manastirin e Banjskës dhe aty u gjet arsenal masiv armësh, që tregonte për një plan të organizuar mirë me tentantivë destabilizimi për Kosovën.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radojiçiq është i dyshuari kryesor për organizimin e këtij grupi terrorist. Kjo pasi në një nga veturat janë gjetur leje nga Serbia që ia kishte dhënë kriminelit Radojiçiqi për të përdorur disa armë.

“Në objektet brenda dhe në vetura janë gjetur harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë të mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta e dokumente janë dëshmi se nuk kemi të bëjmë me grupe lokale, por organizim terrorist të udhëzuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendorë e të huaj është konstatuar se për këtë organizim duhen përgatitje disa muaj. Pra nuk ka qenë diçka ad-hoc. Në këto materiale kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojiçiqi, që dëshmojnë lidhjen e tij dhe pjesëmarrjen në këtë aksion. Kjo është lista e armëve, apo leje zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radojiçiq”, ka thënë Sveçla.