Hysri Peqani, i njohur si Burdushi ka tentuar që t’i japë fund jetës para dy jave në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku është duke u mbajtur për më shumë se dy muaj. Këtë veprim, Burdushi ka deklaruar se e ka bërë në shenjë të pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës.
Për Ballkani.info e ka konfirmuar avokati i Burdushit, Asdren Hoxha.
“E konfirmoj një rast i tentimvrasjes ka ndodh në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, sepse më ka thënë drejtpërdrejt vetë klienti im, i cili e ka shprehur si revoltë ndaj padrejtësisë që po i bëhet, me caktim dhe vazhdim të paraburgimit pa asnjë arsye, procedurës për sekuestrim të pabazë të gjithë pasurisë, faktit që asnjë i dëmtuar nuk është lajmëruar vullnetarisht para arrestimit të tij por, pas arrestimit janë joshë dhe ftuar njerëz që për interesa personale të lajmërohen dhe të deklarojnë kundër tij, gjë që është e pazakontë. Dhe ai e sheh si padrejtësi, pastaj edhe vonesa në procedurë për katër muaj në paraburgim pa aktakuzë të gjitha këto e kanë shtyrë siç ka thënë klienti në një akt të tillë”, tha Hoxha.







