Qeveria
Bunjaku-Rexhepi: Është koha që kjo Qeveri të japë dorëheqje
Valentina Bunjaku -Rexhepi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka treguar se pse sot LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk kanë marrë pjesë në seancën ku u diskutua për rezolutën për dialogun me Serbinë.
“Fillimisht nuk është e njëjta rezolutë, ka pika të cilat nuk janë të njëjta. LDK e ka pozicionin e qartë se nuk do të marrë pjesë në seancat e ftuara nga Kadri Veseli derisa nuk ftohet seanca e thirrur nga opozita që është thirrë kohë më parë.
“Pozita nuk kishte marrë pjesë. Nuk kemi pasë kuorum që të vazhdojmë me atë seancë”.
“Kjo Qeveri ka vazhduar seancën e mbetur në gjysmë dhe nuk e di me çfarë arsye me këta pak numra që kanë, ku edhe njëri nga deputetët e tyre [Milaim Zeka] e ka lëshuar seancën sepse nuk ka dashur ta bëjë kuorumin”.
Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar në Info Magazine të Klan Kosovës se kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje.
“Shumica ekziston në anën e opozitës. 57 deputetë shqiptarë jemi në opozitë kursë këta[koalicioni qeveritar] janë 62 bashkë me Listën Serbe dhe kur po don Lista Serbe po e kërcënon qeverinë me bojkot”.
“Kjo Qeveri me këta numra që nuk i ka tani realisht duhet ta ketë të qartë se është koha që kjo Qeveri të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje”.
“LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk është se jemi të njëjtë në ideologji por jemi opozitë e bashkuar kundër kësaj qeverisje kundër këtij kryeministri, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave sepse kjo qeveri gjithçka në këtë Kosovë ka degraduar në qytetarët e Kosovës”.
Deputetja e LDK-së ka thënë se deputetët e partisë së saj do të jenë në Kuvend, kurdo që e shohin të nevojshme një gjë të tillë.
“LDK nuk merr pjesë ne seancë sepse kjo është Qeveri e pakicës. Në momentin që Kadri Veseli e sheh të arsyeshme të ftojë seancën e thirrur nga opozita, me rezolutën e opozitës, ne do të jemi aty”.
“Do të jemi edhe aty ku e shohim të nevojshme. Për marrëveshjet ndërkombëtare duhen 2/3 e votave dhe fati i tyre varet nga Lista Serbe”.