Bulliqi: Trupi punues për rishikim të kufirit duhet të formohet nga Qeveria

Kuvendi i Kosovës para një viti e ka miratuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Prej asaj kohe nuk ka ndodhur rishikimi i vijës kufitare, siç pretendonte pala kosovare, e as vendi nuk e ka fituar liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian, shkruan Gazeta “Zëri”.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” kryetari i Komisionit për Shënimin e Kufirit, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se për rishikim të vijës kufitare Qeveria duhet ta formojë një trup punues. Kjo, siç ka thënë Bulliqi, nuk është në kompetencat e Komisionit. “Duhet të formohet një trup punues nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe e Malit të Zi, jo nga Komisioni. Ne nuk formojmë trup punues, prandaj kjo punë nuk varet nga ne. Kur formohet trupi punues e kemi gatishmërinë që ta vazhdojmë punën. Por nuk jemi ne ata që e formojmë”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse ndokush prej Komisionit do të jetë pjesë e trupit punues, Bulliqi ka thënë se nuk ka informacion ende rreth kësaj çështjeje. “Trupi punues formohet prej Qeverisë. Trupat punuese duhet të hapen me letra, shkëmbime diplomatike mes Kosovës dhe e Malit të Zi e tek pastaj të vazhdohet tutje. Ne e kemi gatishmërinë, por agjenda politike e Qeverisë nuk varet nga ne. Ndoshta dikush prej këtij Komisioni mund të bëhet pjesë e trupit punues. Kjo nuk varet nga ne”, ka shtuar ai.

Por pavarësisht kësaj, Bulliqi ka thënë se Komisioni është duke kryer punën e vet në të dyja drejtimet, edhe në lidhje me Malin e Zi, por edhe në lidhje me demarkimin e vijës kufitare me Serbinë. “Ne jemi duke bërë punën si komision i përhershëm shtetëror. Angazhimi ynë është në dy segmentet, edhe me Malin e Zi jemi ende duke hulumtuar për materiale, njëkohësisht kemi filluar punën serioze me përgatitjet për kufirin me Serbinë për demarkim”, ka theksuar ai, teksa ka bërë të ditur se rreth demarkimit me Serbinë Komisioni ka nisur punën qysh pas përfundimit të raportit lidhur me kufirin me Malin e Zi.