Deputeti i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se qeveria Kurti ka pasur mjaftueshëm material për aktakuzë ndaj palës malazeze lidhur me demarkimin.
Ka thënë se Qeveria Kurti e ka pasur primare çështjen e demarkacionit, por periudha e shkurtër në qeverisje s’ia lejoi.
“Ka qenë çështje parësore por i dini problemet që jemi ballafaquar si qeveri dhe ka qenë periudhë e shkurtër. Kurti ka qenë i gatshëm ta shtyjë përpara këtë çështje por ishte periudhë e shkurtër dhe shpejt ndodhi rrëzimi i qeverisë”, tha ai.
Bulliqi, ish-kryetar i Komisionit për demarkacionin me Malin e Zi, e ka kritikuar edhe Qeverinë Haradinaj për qasjen ndaj kësaj çështjeje.
“Qeveria Haradinaj e di se ne e kemi hartuar një raport i cili ka volum mbi 900 faqe material ku janë dhënë faktografi, ka qenë një strategji se si do t’i qasemi diskutimit me palën malzezë dhe ai raport është publik, është botuar dhe është shpërndarë në të gjitha libraritë, ambasadat e institucionet në Shqipëri e Maqedoni, aty, është një dokumentacion me faktografi që tregon se ai territor është administruar nga Kosova, madje, deri në vitin 2009 ne e kemi administruar atë territor, dhe atëherë shkon pala malazeze dhe thotë s’keni nevojë më të vini në Savinovodë”, tha Bulliqi.
Bulliqi, shtoi se ka pasur material të mjaftueshëm për aktakuzë. Por, ka shtuar se largimi i Bulliqit dhe të tjerëve nga ky komision është bërë me qëllim që t’i hapet rruga një procesi të gabuar.
“Besimi i vetëm i imi është sepse ndërrimi i këtij komisioni, është për t’i hapur rrugë një procesi të gabuar të nisur më herët të finalizohet. Ka ardhur koha të finalizohet sigurisht duke e cenuar seriozisht integritetin territorial të vendit”, shtoi ai.







