Bukurshkrimi i Agim Ramadanit, publikohet tema e diplomës që e kishte shkruar me dorë

Agim Ramadani pos si patriot dhe luftëtar, ishte i njohur edhe për botën e artit. Bukurshkrimi ishte pjesë e kapaciteteve të tij krijuese, e kjo u dëshmua edhe në temën e diplomës së tij, që tërësisht e kishte shkruar me dorë.

Si ushtarak i karrierës, Ramadani kishte studiuar në fushën e komunikacionit në kazermën “Ivan Goshnjak”. Bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani, shkroi në Facebook se diploma i kishte gjithsej 70 faqe dhe e tëra ishte shkruar nga dora e Agimit, por që ende s’është përkthyer në gjuhën shqipe.

“Meqë shumë nga ju keni njohur Agimin, por nuk keni pasur rastin të njihni bukurshkrimin, përkushtimin dhe njohuritë e thella që posedonte në fushën që përcaktohej për ta studiuar, po ndaj me ju sot punën e madhe që ka bërë në temën për diplomim në drejtimin si ushtarak karriere në fushën e komunikacionit, në kazermën ‘Ivan Goshnjak’ në Zagreb. Duke qenë e bindur se edhe sot kjo temë është tejet e rëndësishme për ushtrinë tonë (FSK)e cila duhet të formësohet sa më profesionalisht që është e mundur. Më vjen keq që ende nuk kemi arritur ta përkthejmë këtë punim diplome që me kaq dashuri, përkushtim, profesionalizëm e durim u shkrua me dorën e Agimit! Ka mbi 70 faqe ,këtu po i paraqes pak nga ato”, shkroi ajo të mërkurën.