Bukë e mbushur me tahini, mjaltë dhe trumzë

PËRBËRËSIT: 300 g miell, 180 ml ujë i vakët, 5 g maja, 1 lugë sheqer, 1 lugë kripë, ½ lugë trumzë, 50 g gjalpë, 1 lugë fara finoku, 1 lugë mjaltë, 2 lugë vaj ulliri, 2 lugë tahini dhe 2 lugë fara susami.

PËRGATITJA: Tretim në ujin e vakët majanë me sheqerin dhe e lëmë masën të pushojë për 10 minuta. Përziejmë miellin me kripën, farat e finokut, trumzën dhe shtojmë ujë. E punojmë me duar derisa të përftojmë një brumë të butë që nuk ngjit. E lyejmë me vaj ulliri, e vendosim në një tas, e mbulojmë me qese kuzhine dhe e lëmë të pushojë për 2-3 orë. Pas kësaj kohe e hapim brumin në petë drejtkëndore. Ndërkohë, përziejmë mjaltin me tahinin dhe lyejmë gjithë sipërfaqen e petës. E bëjmë role dhe e mbështjellim rreth vetes, duke e vendosur fundin e rolesë në pjesën poshtme të së gjithës, që mos të na hapet gjatë pjekjes. E lyejmë me gjalpin e tretur dhe farat e susamit, të cilat i kemi vendosur më parë 10 minuta në ujë. Në fund, e pjekim për 25 minuta në furrën e ngrohur më parë në 200 gradë Celsius.