Brukseli kritikon Edi Ramën për deklaratat nacionaliste, thotë se ato mund të keqinterpretohen

Derisa në Bruksel është duke u diskutuar draft-rezoluta për vendet e Ballkanit Perëndimor, eurodeputetët kishin rezervuar edhe disa kritika të drejtpërdrejta për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, duke komentuar deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka kërkuar që të ketë kujdes më të madh me deklaratat që mund të keqinterpretohen, transmeton Ballkani.info.

“Çdo kush në rajon duhet të përmbahet nga deklaratat që janë të padobishme dhe që mund të interpretohen sikur ndërmerret një anë e caktuar, flas këtu për çështjen Kosovë-Serbi”, ka thënë Hahn.

Draft-rezoluta e ka vlerësuar ecurinë e reformave në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, eurodeputetët i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë edhe vendimit për taksën 100% për produktet serbe që hynë në territorin e Kosovës.

Për këtë çështje, Brukseli kërkon që Kosova të tërhiqet nga vendosja e tarifave me Serbinë.

Eurodeputetët kanë shprehur edhe mbështetje për heqjen e vizave për qytetarët tanë. /Ballkani.info/