Brukseli e ka aranzhuar takimin Kurti -Vuçiq, kjo është data

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian që më 18 gusht të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve, konfirmoi për mediat zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stano.

Ai shtoi se më vonë do të japin detaje të tjera për agjendën e takimit të 18 gushtit.

Pas tensioneve në veri të dielën Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në ftesën e Borrellit u tha se në takim do të bisedohej për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

Dy liderët shtetërorë do të takohen për herë të parë pas një viti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.