Chelsea

Brojës i shtohet konkurrenca te Chelsea, Pochetino lajmëron rikthimin e sulmuesit

Armando Broja sapo është rikthyer nga dëmtimi në gju që e mbajti për më shumë se nëntë muaj jashtë fushave të lojës. Sulmuesi i kombëtares është aktivizuar në katër ndeshje të këtij sezoni me Chelsean, duke gjetur edhe njëherë rrugën e rrjetës.

Së fundmi, 22-vjeçari pati një shqetësim tjetër në gju, por jo diçka serioze dhe pritet që këtë fundjavë, në sfidën e “Bluve të Londrës” ndaj Brentford të jetë i gatshëm. Edhe pse duket se së shpejti konkurrenca për Brojën do të shtohet duke qenë se trajneri Mauricio Pochetino njoftoi në konferencë se sulmuesi Christopher Nkunku është shumë pranë rikuperimit.

 “Nkunku është duke punuar shumë mirë dhe është shumë pranë rikthimit në fushat e lojës. Do të mundohemi ta përfshijmë sa më shpejt në skuadër, bëhet fjalë për një lojtar shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe projektin tonë. Ndoshta, Nkunku do të jetë plotësisht gati pas pauzës së kombëtareve në nëntor”, u shpreh Pochetino. /Ballkani.info