Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’ju mundësojnë udhtim pa viza për qytetarët e Britanisë së Madhe edhe në rast të largimit të këtij shteti nga BE-ja pa marrëveshje.
Sipas legjislacionit të propozuar, britanikët do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të mund të qëndrojnë në to për 90 ditë. Edhe Britania e Madhe e kishte konfirmuar më parë se do t’ua mundësojë qytetarëve të BE-së udhëtimin pa viza në këtë shtet.
Përmes një deklarate, Këshilli Evropian njoftoi se ambasadorët e vendeve të BE-së janë pajtuar që qytetarët britanikë të kenë të drejtë të udhëtojnë në shtetet e BE-së pa viza dhe të kenë të drejtë për të qëndruar maksimalisht 90 ditë.
Në deklaratë thuhet se rregullat e BE-së përcaktojnë që udhëtimi pa viza lejohet vetëm për vendet që e ofrojnë të njëjtën mundësi për qytetarët e Bashkimit Evropian. Në rast se Britania e Madhe merr vendim për vendosje të vizave më vonë, Bashkimi Evropian do të ndërmarrë masa reciproke, shkruan “Independent”, transmeton Ballkani.info







