Ambasada Britanike, e zhgënyer nga mos votimi i kandidatëve të rekomanduar për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ka njoftuar se nuk do ta mbështesë ri-përsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njejtë.

“Ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ri-përsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njejtë të Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Ambasada Britanike është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksa-paguesve Britanikë. Ne nuk do të financojmë procese rekrutuese shtesë, kur nuk ka arsye përse ato të përsëriten përveç mungesës së vullnetit për të emëruar kandidatë të përgatitur”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e datës 28 shkurt, nuk kanë votuar për asnjërin prej kandidatëve që ka rekomanduar ambasada sipas marrëveshjes ekzistuese.

“Kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirë-strukturuar, profesional dhe meritokratik. Ata kishin plotësuar të gjitha kriteret dhe kishin treguar që posedojnë kompetencat e duhura për të ushtruar pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Pavarësisht një procesi të tillë rekrutues transparent, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kishin votuat asnjërin nga kandidatët e rekomanduar”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Sipas ambasadës dështim në emërimin e njërit nga kandidatët e rekomanduar është në kundërshtim me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

“Ky vendim gjithashtu vë në dyshim qëllimin dhe vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emërime profesionale në pozita të larta drejtuese në institucione të cilat do të duhej të ishin të pavaruara, dhe sektorë me rëndësi jetike për resurset dhe ekonominë e Kosovës”, thuhet në reagim.