Britania njofton për ndihmat e reja ushtarake: Këto armë do t’i dërgohen Ukrainës

Britania e Madhe ka qenë njëra ndër vendet më mbështetëse të Ukrainës që prej fillimit të luftës dhe jo vetëm. Se ndihmat e saj për Ukrainën kanë qenë të rëndësisë jetike, këtë e dëshmojnë edhe humbjet e mëdha të rusëve në automjete ushtarake nga sistemet antitanke ‘NLAW’ në duart e ukrainasve, të ardhura nga Britania.

Pas vizitës së sotme të kryeministrit britanik në Kiev, u dha edhe një herë sinjal që Britania nuk do të zmbrapset në përpjekjen e saj për t’i dalur në ndihmë Ukrainës në ditët e saj më të vështira.

Britania tha sot se do të dërgojë 120 automjete të blinduara dhe sisteme të reja raketore kundër anijeve për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës.

Ky njoftim erdhi pas takimit të mbajtur nga të dy liderët, Johnson e Zelensky.

Kryeministri Boris Johnson bëri vizitën e tij të parë në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë.