Rishi Sunak

Britania ndalon cigaret elektronike njëpërdorimëshe për shkak të fëmijëve

Mbretëria e Bashkuar ka marrë vendim që ta ndalojë përdorimin e cigareve elektronike njëpërdorimëshe (vape), për shkak të shëndetit të të rinjve, raportoi të hënën BBC-ja.

Kryeministri Rishi Sunak ka rekomanduar që duhanpirësit e rritur, të cilët përpiqen ta lënë duhanin, të kenë ende qasje në alternativa si cigaret elektronike.

Sipas vendimit, do të merren masa edhe për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te fëmijët.

“Fëmijët nuk duhet të pinë cigare me avull, nuk duam që ata të varen nga to. Ende nuk i kuptojmë ndikimet afatgjata shëndetësore të tyre”, ka thënë Sunaku.

Kryeministri britanik ka propozuar që të këtë ekuilibër midis kufizimeve të qasjes për fëmijët dhe ruajtjes së qasjes për duhanpirësit e rritur që përpiqen ta lënë duhanin.

“Është e rëndësishme që të mbajmë vapa për duhanpirësit e rritur që duan ta lënë duhanin”, vazhdoi kryeministri, duke shtuar se ai donte të synonte që fëmijët të mos kenë qasje në këto lloj cigaresh.

Propozimet pasojnë njoftimin e vitit të kaluar për ndalim të shitjes së cigareve për këdo që ka lindur më ose pas 1 janarit 2009, si pjesë e përpjekjes për të krijuar një “brez pa duhan”.

Sekretarja e Shëndetësisë, Victoria Atkins është shprehur e bindur se ligji i ri do të kalojë në Parlament deri në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme, që priten të jenë këtë vit, me hyrjen në fuqi në fillim të vitit 2025.

Për të ndihmuar në ndalimin e shitjeve për të miturit, do të gjobitet çdo dyqan në Angli dhe Uells që kapet duke u shitur vapa në mënyrë të paligjshme fëmijëve.

Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar një grupi të vogël vendesh që planifikojnë të ndalojnë vapat njëpërdorimshme. Australia, Franca, Gjermania dhe Zelanda e Re kanë njoftuar plane të ngjashme, megjithëse vetëm kjo e fundit i ka zbatuar deri më tani.