Marrëveshja për Brexit ka shkaktuar krizë në Britaninë e Madhe.
Përmbajtja e marrëveshjes së arritur ndërmjet Britanisë dhe BE-së ka gjithsej 585 faqe. Kurse, pjesët kryesore të kësaj marrëveshjeje përfshijnë fazën e tranzicionit dhe trajtimin e shtetasve të vendeve të BE-së, transmeton Ballkani.info.
Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars dhe pas këtij largimi është parashikuar të vazhdojë faza e tranzicionit.
Në këtë periudhë, Britania do të mbetet fillimisht brenda tregut të brendshëm dhe Bashkimit Doganor të BE-së, në mënyrë që të parandalohet zhytja e vendit në krizë të thellë ekonomike.
Kjo fazë do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2020, por mund të zgjatet edhe më shumë. Kërkesa për zgjatjen e saj duhet të bëhet para 1 korrikut 2020.
Mbretëria e Bashkuar duhet të vazhdojë t’i njohë rregullat e paracaktuara nga BE-ja, pa pasur vetë të drejtë vote dhe është e detyruar të paguajë edhe më tej kuotën e anëtarësimit. Në të njëjtën kohë, ajo mund të përmbyllë “marrëveshje ndërkombëtare” të vetat në sektorin e tregtisë, por ato mund të hyjnë në fuqi vetëm pasi të ketë përfunduar periudha e tranzicionit.
Po ashtu, në Britaninë e Madhe jetojnë mbi tre milionë shtetas të vendeve të tjera të BE-së, ndërsa në vendet e BE-së jetojnë rreth një milionë britanikë. Ata kanë të drejtë rezidence në Britani dhe në BE, të punojnë ose të studiojnë ku duan. Atyre u garantohet e drejta e sigurimit shëndetësor, pensionet dhe përfitimet e tjera sociale. Kjo vlen edhe për ata shtetas britanikë që do të hyjnë në BE, përkatësisht shtetas të BE-së që hyjnë në Britani gjatë periudhës së tranzicionit. Sipas kryenegociatorit të BE-së, Michel Barnier, atyre u lejohet qëndrimi “për gjithë jetën e tyre” së bashku me anëtarët e familjes. /Ballkani.info/







