Qendra e Skijimit në Brezovicë ishte mbyllur për disa ditë radhazi pas ngjarjes tragjike të ish zëvendësministrit Arian Daci, i cili vdiq si pasojë e një orteku.

Në vendin e ngjarjes kishin dalur pjesëtarët e FSK-së të shoqëruar edhe nga trupat e KFOR-it, shkruan Ballkani.info.

Pas vlerësimit të gjendjes, ishte vendosur për deminimin e dy orteqeve të cilat ishin cilësuar si të rrezikshme për vizitorët.

Në anën tjetër, pas hapjes së Qendrës së Skijimit në Brezovicë, numri i vizitorëve ka qenë minimal sipas kryeshefit ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Morina.

Në një prononcim për Ballkani.info, Morina ka thënë se në numrin e vogël të vizitorëve kanë ndikuar dy arsye.

“Arsyeja e parë është që gjatë ditëve të punës dhe me rastin e hapjes së shkollave për fëmijë, gjithnjë numri i vizitorëve ka qenë i vogël, ndërsa numri i madh i vizitorëve pritet në vikend”, ka thënë Morina.

Tutje, ai ka shtuar se ende nuk mund të konstatojnë se a ka ndikuar mbyllja e Qendrës së Skijimit për disa ditë apo rreziku i orteqeve, por kjo do të konstatohet në këtë vikend.

“Se a ka ndikuar mbyllja apo rreziku i orteqeve ne ende nuk mund të konstatojmë. Ky vikend do të jetë pasqyrë e asaj se si është marrë nga qytetarët rasti i vdekjes së z.Daci dhe procesi i orteqeve”, ka përfunduar Morina për Ballkani.info.

Kujtojmë se reshjet e mëdha të dëborës, kishin krijuar diku shtatë orteqe që konsideroheshin si të rrezikshme për vizitorët, por që disa prej tyre ishin shkrirë gjatë kohës kur Qendra e Brezovicës ishte e mbyllur, ndërsa dy të tjera ishin deminuar me sukses nga pjesëtarët e FSK-së. /Ballkani.info