Klan Kosova

Brenda dy ditësh Gjykata Komerciale pritet të vendosë për Klan Kosovën

Ekzekutimi ose jo i vendimit për pezullim të licencës së Klan Kosovës, tashmë ka mbetur në duart e Gjykatës Komerciale. Brenda kësaj kjo gjykatë do të vendosë rreth kërkesës së televizionit për masë të sigurisë, derisa vendimi përfundimtar sipas njohësve të sistemit të drejtësisë mund të marr kohë deri në 2 vite.

Brenda dy ditësh Gjykata Komerciale, pritet të vendos rreth kërkesën për caktim të masës së sigurisë, për rastin e Klan Kosovës.

Kjo gjykatë që trajton rastet e kontesteve tregtare dhe konflikteve administrative, tashmë ka pranuar padinë që ka bërë televizioni Klan Kosova, ndaj vendimit të MINT për pezullim të certifikatës së biznesit.

“Në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht Dhomat e Shkallës së Parë, më 1 gusht 2023, është pranuar padia për anulimin e vendimeve kontestuese dhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimeve të tyre. E njëjta sipas procedurave të gjykatës i është ndarë gjyqtarëve të  Dhomave të Shkallës së Parë, dhe vendimi lidhur me këtë çështje do të merret brenda afatit ligjor prej tre (3) ditëve siç përcaktohet me dispozitën e nenit 27 paragrafi 1 të Ligjit për Gjykatën  Komerciale”, kanë thënë nga Gjykata Komerciale.

Ky rast, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, duhet të trajtohet me urgjencë.

Gzim Shala, nga ky institut, thotë se gjykata duhet të vendos në mënyrë urgjente për masën e përkohshme të sigurisë, tek shton se veprimet e ministrisë kanë qenë arbitrare.

“Dhe brenda këtij afati, duhet të merret vendimi vetëm nëse i njëjti vendim do të pezullohet ekzekutimi i tij, deri në vendosjen meritore nga ana e gjykatës ose jo. Pra ky vendim në rastin konkret nuk flet për meritat e çështjes, mirëpo është vetëm një masë e përkohshme nëse vendimi duhet të pezullohet”, ka deklaruar Gzim Shala, hulumtues në IKD.

Klan Kosova, përveç masës së sigurisë në këtë gjykatë ka bërë padi edhe për konflikt administrativ.

Por deri tek një vendim përfundimtar, sipas avokatit Sabri Kryeziu, bazuar në përvojat e kaluara, mund të shkojë deri në 2 vite.a

“Si çështje kryesore ajo çështje mund të zgjatet dhe kjo e gjitha varet nga vëllimit të lëndës dhe orarit se si e ka përcaktuar gjykata për vendosje… Deri në vendim përfundimtar në rastet që kem pas, unë me përvojën time si avokat se kemi raste të shumta, para dy ose dy vjet e gjysmë rastet nuk kanë mundur të zgjidhen, kurse për masën e sigurisë vendoset me urgjencë absolute”, ka deklaruar Sabri Kryeziu, avokat.

Gjatë muajit qershor, ministria e Industrisë. Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mori vendim për pezullimin e licencës ndaj Klan Kosovës, me arsyetimin se në regjistrimin e këtij mediumi janë bërë emërtime kundërkushtetuese.

Vendimi mbeti në fuqi edhe në shkallën e dytë brenda Ministrisë, veprim që u kundërshtua në forma të ndryshme nga gazetarët e organizatat e shoqërisë civile. /Dukagjini/