Brahimaj pas shkarkimit: Përdhosje e kuadrit të specializuar teksa bëhet thirrje për mjekë nga jashtë

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, thotë se ende nuk e ka pranuar vendimin e shkarkimit që iu bë nga kjo pozitë këtë të enjte nga Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës.

“Ende nuk e kam pranuar vendimin e shkarkimit edhe pse ShSKUK-ja lajmin dhe vendimin e ka bërë publik në faqen e tyre”.

Brahimaj për Klan Kosova ka thënë se ky vendim është i papranueshëm me ç’rast e ka konsideruar edhe si demotivim dhe përdhosje të kuadrit të specializuar me përvojë nga vendet evropiane, njofton Klankosova.tv.

“Këtë e konsideroj si një goditje të fuqishme ndaj kuadrit të shkolluar jashtë vendim si unë me shtatë vjet specializim, njohës i tri gjuhëve të huaj dhe kam kryer qindra operacione të pavarura, i specializuar me vite në spitalet më të fuqishme evropiane dhe pjesëtarë i ekipës për transplantime të zemrës në Zagreb dhe ish-student me notën mesatare, 9”.

“E gjitha kjo është një demotivim, një dekurajim dhe përdhosje e kuadrit të specializuar dhe me përvojë nga vendet evropiane në kohën kur po bëhet thirrje për doktorë nga jashtë” tha Brahimaj.

Mes tjerash, Brahimaj tha se gjatë vitit 2022 janë kryer 350 operacione, që përbëjnë edhe numrin më të madh të operacioneve ndonjëherë në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

Kujtojmë se shkarkim i Brahimajt vjen pasi gjatë javës së kaluar ndodhi një rast ku një pacient vdiq pas një operacioni dhjetë orësh nga çarja e aortës.

I gjithë procesi i operimit ishte xhiruar dhe u publikua si operim i suksesshëm nga kirurgu që mori pjesë në operim, Kushtrim Shala.

Tashmë i shkarkuari, ish-drejtori Brahimaj pati deklaruar se kirurgu Shala ishe i papërvojë për këtë operacion ndërkohë që pati bërë të ditur se ishte në pushim në kohën kur ishte kryer operacioni duke hequr përgjegjësinë nga vetja.

“Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetentë për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, kishte thënë Brahimaj.

Trupi i pacientit 63-vjeçar, me iniciale E.M. u tërhoq nga spitali nga familjarët e tij për ceremoni të varrimit më 6 janar, rreth 2 orë pas konstatimit të vdekjes.

Vlen të theksohet se familja nuk ka kërkuar që trupi të shkojë në IML për obduksion. Por, ky veprim i familjarëve vjen edhe përkundër që Prokuroria i ka nisur hetimet dhe ka autorizuar policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në lidhje me rastin.

Megjithatë, meqë hetimet kanë filluar, trupi i viktimës edhe mund të zhvarroset për t’iu nënshtruar autopsisë.