Italia

BQE’ja qetëson situatën për buxhetin italian

Banka Qendrore Europiane shprehu sot besim në lidhje me përfundimin e përplasjes për buxhetin italian dhe konfirmoi braktisjen progresive të mbështetjes së saj të gjerë ndaj ekonomisë, pavarësisht rreziqeve të ndryshme që ekzistojnë.

“Për Italinë, nuk kam një top prej kristali”, paralajmëroi presidenti i BQE-së, Mario Draghi, duke marrë pozicionin e një spektatori në debatin buxhetor që kundërvë Romën me Brukselin, dy ditë pas kundërshtimit nga Komisioni Europian të propozimeve italiane.

I pyetur nga gazetarët Draghi u shpreh “besimplotë se një marrëveshje do të gjendet, nëse të dyja palët tregojnë mirëkuptim”.

Ai u shpreh se “deri tani vëren një normë interesi italiane ende të moderuar”, përcjell Atsh.

“Nëse normat e interesit vazhdojnë të rriten, kjo do të reduktojë marzhin e manovrës buxhetore”, shtoi kreu i BQE-së, duke lënë të kuptohet se Roma nuk mund t’i lejojë vetes gjithçka në lidhje me shpenzimet publike.