Botoksi

Botoksi të mbron nga Covid? Studimi francez përballë skepticizmit të ekspertëve britanikë

Është krijuar për të eliminuar përkohësisht rrudhat tek moshat e mesme, por Botoxi mund të mbrojë njerëzit edhe nga infektimi me Covid. Këtë ka treguar një studim francez së fundmi. Studiuesit sipas Daily Mail kanë thënë se pothuajse nga 200 pacientët e tyre që bënë botox deri në korrik të vitit të kaluar, vetëm dy prej tyre kishin përjetuar simptoma të koronavirusit.

Për krahasim, ata sugjeruan se 4.4 përqind e popullsisë franceze ishte infektuar tashmë me virusin. Por ekspertë të tjerë e kanë përshkruar studimin si të vakët, duke këmbëngulur se nuk vërtetohet nëse Botox ka lidhje me infeksionin e Covid, apo mundësinë për të mos u sëmurë. Më shumë se një milion britanikë marrin injeksione Botox çdo vit, dhe procedura është edhe më e zakonshme në SHBA.

Toksina, një nga më të rrezikshmet e njohura për shkencën, ndihmon në zvogëlimin e rrudhave sepse relakson muskujt kryesisht në ballë. Por përdoret gjithashtu për arsye mjekësore, pasi u injektohet pacientëve që vuajnë nga migrena dhe tek ata me kontraktime të pavullnetshme të muskujve, duke ndihmuar në qetësimin e simptomave.

“Rreth 193 pacientë u përfshinë në studimin francez, nga të cilët tre të katërtat ishin gra (146). Ata ishin mesatarisht në të pesëdhjetat. Sipas studiuesve nga Spitali Universitar Montpellier kjo kategori kishte bërë Botox. Ata u ndoqën për tre muaj pasi morën injeksionet për të parë nëse infektohen me Covid apo jo. Asnjë prej tyre nuk rezultoi pozitiv për Covid, megjithëse pati dy raste të dyshuara.

Një grua 53-vjeçare zhvilloi simptoma pasi u kthye nga një udhëtim në Las Vegas, por ajo rezultoi negative në testin e kryer. Një grua 70-vjeçare gjithashtu u sëmur, por ajo kurrë nuk u testua. Asnjë pacient nuk u shtrua në spital”, tregojnë ekspertët në Gazetën e Stomatologjisë, Kirurgjisë Orale dhe Maksilofaciale.

Sipas tyre: “Rezultatet tona tregojnë një ndryshim domethënës midis numrit të individëve të infektuar në popullatën e përgjithshme dhe numrit të pacientëve të injektuar me Botox të cilët treguan shenja të Covid.” Megjithatë, ata pranuan se rajoni nga i cili u zgjodhën pacientët nuk ishte një nga zonat më të prekura në Francë, por krejt e kundërta.

Për të forcuar idenë se Botox mund të pengojë infektimin me Covid, ekipi tregoi një grua 64-vjeçare nga Lozere në Francën jugore e cila mori trajtimin. Ata pretenduan se ajo nuk u infektua me virus, pavarësisht se të gjithë të tjerët në fshatin e saj rezultuan me Covid. Ata gjithashtu treguan për një grua 46-vjeçare e cila nuk u infektua pavarësisht se vajza e saj rezultoi pozitive në testin e virusit. Por ka paqartësi pasi nuk thuhet nëse vajza jetonte me të apo moshën.

Çfarë duhet të dimë për Botox-in?

Toksina botulinike funksionon duke penguar lirimin e neurotransmetuesit acetilkolinë, dhe kjo sjell paralizën e muskujve përkohësisht. Doktor Dominique Batifol, autori kryesor i studimit dhe kontribuesit e tjerë sugjeruan se kjo mund të ndalojë infeksionin e Covid. Ata vunë në dukje dokumente të tjera në të cilat kanë sugjeruar se edhe nikotina bllokon receptorin me të cilin lidhet acetilkolina, duke mbështetur kështu edhe më shumë teorinë e tyre. Studime të mëparshme kanë sugjeruar se duhanpirësit kanë më pak gjasa të vuanin nga Covid në formë të rëndë, por ende nuk ka prova konkrete për këtë.

Ekipi e studiuesve pranoi se duheshin më shumë kërkime për të përcaktuar se si Botox mund të ndalojë një infeksion nga Covid.

Ndërsa Profesori Willem van Schaik, drejtor i institutit të mikrobiologjisë dhe infeksionit në Universitetin e Birmingham në Britani, kritikon studimin.

Ai ka thënë për MailOnline: ‘Ky studim nuk mund të përdoret si dëshmi, madje as si dëshmi fillestare. Standardi për të përcaktuar nëse një trajtim është efektiv në trajtimin ose parandalimin e Covid është të bërit një provë e rastësishme klinike në të cilën ju krahasoni trajtimin me një placebo. Por ky studim nuk përshkruan një gjë të tillë. Pjesa tjetër e punimit është shumë spekulativ.’