Bota kundërshton mohimin e krimeve të Serbisë, kjo thotë se Kosovës s’i intereson dialogu

Retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë lidhur me ngjarjet e vitit 1999, janë të papranueshme, ka përsëritur të dielën Ambasada Amerikane në Kosovë.

Nëpërmjet një komunikate, kjo ambasadë ka thënë se është e kujdesshme në ndjekjen penale selektive të fjalës duke u bazuar në orientimin politik apo komunitetit.

“Liria e shprehjes ka qenë prej kohësh parimi themelor i demokracisë. Ngjarjet e kësaj jave paraqesin edhe një rikujtim se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe të ri-përqendrojnë energjinë e tyre drejt së ardhmes duke normalizuar marrëdhëniet”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ambasadës Amerikane.

Për deklaratat e zyrtarëve serbë që po mohojnë masakrën e Reçakut, është shprehur i shqetësuar edhe shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin. Ai ka theksuar domosdoshmërinë për Gjyqësor të pavarur, të lirë nga paragjykimet politike dhe etnike.

Në anën tjetër për Qendrën “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur” mohimet e liderëve serbë nuk paraqesin risi, porse propaganda e shtetit serb është intensifikuar.

“Me qëllim që të jemi koherentë lidhur me qëndrimet tona, Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ kërkon që të mobilizohemi si shtet dhe si shoqëri, që më 15 janar të shënojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë. Kjo deklaratë e Aleksandar Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi. Përkundrazi është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë kjo Qendër.

Ndërkohë, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka reaguar duke thënë se Serbia nuk është optimiste për vazhdimin e dialogut.

“Veprimet e tyre të njëanshme tregojnë se Prishtina është faktori kryesor i destabilitetit. Kallëzimi penal ndaj presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklarata e Kurtit – këta janë tregues të qartë se atyre s’u intereson dialogu dhe kompromisi ”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke folur për dënimin e ish-ministrit Ivan Todosijeviq, e quajti masakrën e Reçakut trillim, e për të njëjtat deklarata, u dënua me dy vjet burgim edhe anëtari i Listës Serbe.

Në janar të vitit të ardhshëm, bëhen 21 vjet nga masakra e Reçakut, ku ishin vrarë 45 shqiptarë civilë të moshave të ndryshme.