Bosnja arreston ish-policin serb të dyshuar për vrasjen e 51 civilëve gjatë luftës

Policia boshnjake të martën ka arrestuar një ish-polic serb të akuzuar për pjesëmarrjen në vrasjen e 51 civilëve joserbë në pjesën veriperëndimore të Bosnjës gjatë luftës në këtë shtet, bëri të ditur zyra e prokurorit.

Dusan Culibrk, 50 vjeç, akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 44 civilëve boshnjakë dhe kroatë, të cilët ishin ndaluar në korrik të vitit 1992 në kampin Omarksa për t’u shkëmbyer me të arrestuar të tjerë pasi ishin ndaluar në mënyrë ilegale.

Culibrk, i cili ishte pjesëtar i forcave rezervë të policisë në qytezën Bosanksa Krupa, bashkë me disa pjesa tjerë e kishin dërguar grupin e civilëve në vendin e quajtur Lisac dhe i kishin qëlluar për vdekje, tha prokuroria.

Mbetjet e trupave të civilëve të vrarë ishin gjetur në vitin 2000, kur edhe ishin identifikuar, shkruan Reuters.

Për më tepër, ish-polici serb akuzohet për ndaljen e një grupi prej shtatë boshnjakësh përderisa ishin duke udhëtuar nga Prijedori në Bihac, dhe vrasjen e tyre. Prokurori tha se edhe mbetjet e këtyre personave janë gjetur në varrezën masive në Lisac.

Culibrk është duke u hetuar për krime lufte kundër civilëve, njësoj si Milorad Kotur nga Bosankska Krupa, i cili është marrë në pyetje në Serbi, bëri të ditur prokuroria.

Omarska ka qenë një nga katër kampet e ndalimit të kontrolluara nga serbët në zonën veriore të Prijedorit, ku rreth 7.000 boshnjakë dhe kroatë janë mbajtur e torturuar e qindra janë vrarë si pjesë e operacionit të forcave serbe të Bosnjës për spastrim etnik.

Mijëra trupa janë gjetur në varreza masive në Projedor pas përfundimit të luftës, ndërsa mijëra persona ende janë të zhdukur.