Boshnjakja që vishet me të kuqe për 40 vjet, e ka bërë gati edhe varrin

Gruaja boshnjake e pëlqen aq shumë ngjyrën e kuqe saqë e ka bërë gati edhe një gur varri me të njëjtën ngjyrë për kur të vdesë.

Zorica Rebernik, e ka kaluar gjithë jetën e saj në të kuqe dhe planifikon që të qëndrojë e tillë – edhe pasi të vdesë.

Pas katër dekadash e veshur më këtë ngjyrë që nga koka e deri tek këmbët, 67-vjeçarja boshnjake ka bërë gati edhe gurët e varrit të bëra për vete dhe bashkëshortin Zoran – me të cilin ishte martuar e veshur me fustan të kuq.

Mësuesja e pensionuar jeton në një shtëpi të kuqe, ku ajo dhe Zoran hanë nga pjatat e kuqe, pinë nga gotat e kuqe dhe flenë në shtratin e kuq. Madje ajo edhe flokët i ka të ngjyrosura me të kuqe.

“Kur isha në moshën 18-19 vjeçare më erdhi si papritur një dëshirë e fortë për t’u veshur kuq”, i ka thënë Zorica agjencisë së lajmeve Reuters. “Nuk duhet të ketë asnjë pikë e vetme të ndonjë ngjyre tjetër në rroba apo dekorimet e shtëpisë sime”.

Të veshurit me nuancat e së kuqes i jep asaj “ndjenjën e fuqisë”.

Obsesioni i saj me këtë ngjyrë e ka bërë atë personazh të famshëm në rrethin ku ajo jeton, në Breze, që ndodhet afër Tuzllës në veri të Bosnjës.

“Të gjithë më njohin. Sapo njerëzit më shohin, më ofrojnë gjëra të ndryshme me ngjyrë të kuqe”, tha ajo, duke shtuar se do të refuzonte secilën dhuratë që nuk është e kuqe, pa marrë parasysh se sa e vlefshme është.

Zorica madje shkon edhe nëpër funerale e veshur me të kuqe, duke iu shmangur të zezës tradicionale.

I vetmi problem është që bashkëshorti i saj nuk e vëren kur ajo vesh diçka të re.

“Nuk mund ta dalloj ndryshimin. Çdo gjë është e njëjtë”, deklaroi ai.

loading…