Borrell tregon se ka marrë përkrahjen e 27 shteteve të BE-së për propozimin që ua ka bërë Kosovës e Serbisë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka folur për tensionet në veri të Kosovës, në konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së.

Ai ka thënë se situata aktuale nuk është e pranueshme, ndërsa ka theksuar se u ka bërë kërkesë shteteve anëtare që të përforcojnë EULEX-in me trupa shtesë, nëse është e nevojshme dhe se kjo kërkesë ka hasur në mirëkuptim nga shtetet.

“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve, që kanë përshkallëzuar në ditët e fundit, dhe kanë provokuar incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj Policisë së Kosovës. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk është diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të mbarojë e barrikadat duhet të largohen. Qetësia duhet të kthehet. Këshilli qartë u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi dhe frenim nga veprimet e dhunshme e provokative. I kam kërkuar shteteve anëtare që të jenë të gatshme të dërgojnë më tepër njësite në misionin tonë të EULEX-it. E shumë nga to janë pajtuar e kanë shprehur gatishmëri për të rritur kapacitetet nëse është e nevojshme”, ka thënë Borrell.

Ai ka thënë se si Kosova, ashtu edhe Serbia kanë thënë se janë të gatshme për të depërshkallëzuar situatën dhe ka theskuar se shpreson që të ndodhë kjo. Borrell ka thënë se propozimi, që ishte njohur si “franko-gjerman”, ka përkrahjen e fortë të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Palët duhet të kthehen në dialog. Është një detyrë që BE-ja e ka marrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe po ashtu unë si lehtësues. Kjo është esenciale për të dyja palët në rrugët evropiane. Pas incidenteve në verë ne kemi vendosur një propozim për dy liderët, e kemi përditësuar atë javët e fundit, pas marrëveshjes së fundit që e arritëm për targat, e që shpresonim se me të evituam tensionet. Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta shtyjmë para urgjentisht. Jam i lumtur që kemi marrë përkrahjen e fortë të të gjithë ministrave për këtë iniciativë. Tash është propozim i 27 shteteve të BE-së”, ka thënë Borrell.

Ai ka treguar se emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, udhëton të mërkurën për vizitë në Kosovë e Serbi, për të tentuar të qetësojë situatën. E po ashtu Borrell ka paralajmëruar se nesër do të bëhet një njoftim për situatën në Komitetin Politik.