Borrell: Kemi marrëveshje për planin implementues

Përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përmes një konferencë për media ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizim raportesh.

Pas takimit në Ohër, ai ka thënë se dy shtetet janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.

Ai ka përmendur edhe nenin 7 të shumëpërfolur për çështjen e “Vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.

“Për nenin 7 – Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë Borrell.