Borrell e quan arrestim kidnapimin e policëve të Kosovës, thirr takim në Bruksel

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, e ka quajtur arrestim kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës të mërkurën. Ai ka bërë të ditur se do t’i ftojë në një takim urgjent Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme në Bruksel.

“E dini se ka pasur një incident atje lidhur me arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga Kosova dhe ne po përpiqemi të kuptojmë saktë se çka ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe të dyja palët në mënyrë që të shohim se çka ka ndodhur në të vërtetë që ka shpirë në këtë arrestim”, ka thënë ai për gazetarët para nisjes së takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së me NATO-n, raporton AP.

Borrelli ka bërë të ditur se ndërkohë do t’i ftojë dy shtetet në takim.

“Në ndërkohë, duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren dhe duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një modalitet të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Tre policët e Kosovës, sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës, janë kidnapuar brenda territorit të vendit nga forcat serbe. Sipas njoftimit të Policisë, policët ishin duke patrulluar në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës, në momentin kur thuhet të jenë rrëmbyer nga forcat serbe. Liderët e shtetit e kanë cilësuar akt agresioni dhe kanë kërkuar reagim ndërkombëtar.

Autoritetet e Serbisë kanë thënë të mërkurën se “kanë arrestuar tre policë tërësisht të armatosur brenda territorit të Serbisë”.