Borell: S’ka marrëveshje për targat dhe dokumentet, diskutimet do të rikthehen para 1 shtatorit

Kryediplomati Josep Borell në konferencën për media pas bisedimeve disa orëshe me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, tha se s’kanë arritur marrëveshje lidhur me vendimin për targat dhe dokumentet e udhëtimit.

Borell tha se dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimin dhe të rikthehen për bisedime para 1 shtatorit.

“Ne pamë rritje tensionesh për vendimin e targave dhe dokumenteve, komuniteti ndërkomëbtar s’do të shohë eskalim të situatës dhe palët do të jenë përgjegjëse për të. Ne nuk arritëm marrëveshje sot, por s’është fundi i tregimit, dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rikthehet në ditët e ardhshme dhe ka kohë deri më 1 shtator”, tha ai.

Borrell pret fleksibilitet nga Kosova dhe Serbia

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët gjatë 18 gushtit tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, teksa palët po takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Ky reagim i tij erdhi pasi ai zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u pasua me takimin trepalësh.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq tha se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por shtoi se është “skeptik”.

Pas këtij takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.