Borell: Sistemit amerikan po i vjen fundi, ta rimendojmë lidhjen me Kinën

Shekulli aziatik mund të ketë arritur duke shënuar fundin e sistemit global të udhëhequr nga ShBA-të, ka thënë shefi i punëve të jashtme të BE-së mes diskutimeve të vazhdueshme në Evropë se si të zgjedhin një rrugë mes Kinës dhe ShBA-ve.

“Analistët kanë folur qe një kohë të gjatë për fundin e sitemit të udhëhequr nga Amerika dhe arritjen e shekullit aziatik. Tash kjo po ndodh mu para syve tanë,” tha Josep Borrell para një grupi diplomatësh gjermanë gjatë ditës së sotme, duke shtuar se pandemia e koronavirusit mund të shihet si një pikë kthese dhe që “presioni për të zgjedhur mes Amerikës dhe Kinës po rritet.”

Në këto deklarata që duket se konfirmojnë që Bashkimi Evropian do të shpejtojë drejt një pozicioni më të pavarur dhe agresiv ndaj Kinës, ai tha se blloku 27 anëtarësh “duhet të ndjekë interesat e saj dhe vlerat e saj, e të shmangë instrumentalizimin qoftë nga njëra qoftë nga pala tjetër”, raporton The Guardian, përcjell Periskopi.

“Na vyen një strategji më e fortë për Kinën, gjë që kërkon po ashtu marrëdhënie më të mira me pjesën tjetër demokratike të Azisë,” shtoi ai.

BE-ja ka qenë hezituese që të bëhet me Donald Trumpit në qëndrimin e tij konfrontues me Kinën, por sulmet e Pekinit zyrtar ndaj pavarësisë së Hong Kongut, gatishmëria në rritje e saj për t’i mbajtur anën populistëve të Evropës dhe refuzimi për të hapur tregjet ka bërë që megjithatë BE-ja të mos i mbajë anën as Kinës, sipas analistëve.

Borrell më herët e ka pranuar se BE-ja ka qenë naive në disa aspekte sa i përket Kinës, por ka thënë se këtij naiviteti i ka ardhur fundi.