Borell: Dialogu Kosovë-Serbi është kyç edhe për stabilitetin e vetë BE’së

Për herë të pare prej kur ishte emëruar në pozitën e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka raportuar para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, në një takim që u zhvillua të hënën, në Luksemburg.

Lajçak ka raportuar edhe më herët para përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, por në takime të Komitetit për politikë dhe të sigurisë, ndërsa raporti para Këshillit të ministrave ishte diçka për çfarë ai kishte marrë obligim edhe kur iu dha kjo detyrë në prill të këtij viti, shkruan Koha Ditore.

Shefi i Lajçakut, Josep Borrell, foli në konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm dhe tha se i është shprehur një mbështetje e fuqishme këtij dialogu në mënyrë unike nga të gjitha shtetet anëtare.

“Sa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i dërguari ynë i posaçëm, Miroslav Lajçak, e ka informuar Këshillin dhe ne mbetemi të përkushtuar që ta sjellim dialogun në një përmbyllje të suksesshme, duke kërkuar nga palët që të punojnë me besim të mirë dhe në frymën e kompromisit mes tyre”, ka thënë Borrell.

“Suksesi i dialogut është kyç për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për vetë BE-në. Këshilli ka shprehur mbështetje të plotë dhe unitet për këtë punë dhe për punën e zotit Lajçak”, ka thënë Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka pranuar se dialogu nuk është i lehtë, por ka thënë se pret një përmbyllje të suksesshme të tij.

“Ky është një proces kompleks dhe dialogu nuk është i lehtë. Bisedimet po vazhdojnë, kemi pasur dy takime në nivel të lartë dhe nuk ka qenë gjithmonë lehtë. Të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar këtë dialog të vështirë. Të dy liderët, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës, kanë thënë se i japin prioritet të lartë perspektivës evropiane të rajonit. Dialogu është një kusht i domosdoshëm për rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Borrell.