Bordi i Telekomit po planifikon padi për Qeverinë për dividentën 15 milionëshe

Ministri në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka përmendur edhe çështjen e kërkesës së Telekomit për kthimin e dividentës prej 15 milionë eurosh, që i kishte marrë nga kjo ndërmarrje Qeveria Mustafa.

“Kam folur me Bordin, se jam në kontakt të vazhdueshëm me ta, dhe ata po planifikojnë të bëjnë padi ndaj Qeverisë së Kosovës për kthimin e asaja disidente, sepse konsiderojnë se është bërë tërheqje e saj në një kohë kur nuk është dashur që të bëhet”, ka thënë Lluka në Interaktiv të KTV-së.

“Është e çuditshme se si dikush mund ta paditë pronarin ose aksionarin e vet, por ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe ka hapësirë ligjore për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë më tej ai.

Duke folur për punësimet ai ka thënë se “për momentin jemi në një pajtueshmëri të përgjithshme se nuk duhet të rriten punësimet”.

Riorganizimi, ka thënë Lluka, nuk nënkupton largimin e punëtorëve nga puna.

“Nëse shkojmë me privatizim është mirë që këtë punë t’ia lëmë në dorë investitorëve të huaj, që në marrëveshje me ne të ofrohen paketa për punëtorët që dëshirojnë ta shfrytëzojnë atë për të lënë punën”, ka thënë Lluka

“Për gjashtë muaj pritet të bëhet riorganizimi dhe në fillim të vitit të ardhshëm pritet të jetë gati për privatizimin e ndërmarrjes”, ka thënë ai.

Kur ka folur për fazën transitore të numrave nga Z-Mobile te Vala, ai ka thënë se do të zgjasë 30 deri në 120 ditë. Është fjala për rreth 300 mijë numra, që fillojnë me 045 5… …; 045 6.. … dhe 046 1.. …

Lluka ka thënë se ata duhet t’i takojnë Valës, dhe duhet të ndërrohen edhe sim-kartelat në pikat e Valës.

loading…