Bora mund ta zë sërish në befasi Komunën e Prishtinës

Në javën e tretë të nëntor janë paralajmëruar reshje të mundshme borë në Kosovë. Nëse ndodhe të bie borë gjatë këtij muaji, në zonat rurale të Prishtinës, banorët mund të bllokohen. Gjasat janë që edhe gjatë muajit dhjetor, banorët mund të mbesin pa mirëmbajtje të rrugëve.

Komuna e Prishtinës akoma nuk ka kontraktuar asnjë kompani për mirëmbajtjen e rrugëve në zonat rurale, derisa për zonat urbane ka lidhur disa kontrata.

Lajmi.net ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të dijë se sa kompani janë të kontraktura për mirëmbajtjen e rrugëve në kryeqytet, por zyra e informimit e kësaj komunë ka thënë se të gjitha njoftimet i kanë të publikuara në faqen e komunës.

Sipas njoftimeve të bërë në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik – KRPP, komuna është në fazën e vlerësimit të tenderit, dhe pas kësaj faze duhet të priten ankesat e kompanive, dhe më pas komuna të mund të shpallë fituesit. Por, edhe pasi të shpallën fituesit, kontrata nuk do të mund të nënshkruhet menjëherë, pasi mund të ketë ankesa në OSHP. Këto afate janë shkurtuar nga komuna me një vendim. Megjithëkëtë, gjasat janë që kontratat e këtyre ofertave të dështojnë në këtë vit.

Tenderi “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve rurale”, është i ndarë në tri pjesë dhe thirrja është bërë për kohëzgjatjen për një vit. Vlera e parashikuar e kontratës është 300,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve ka qenë data 4 nëntor.

Lajmi.net ka mësuar se për këtë tender që është i ndarë në tri pjesë kanë garuar nëntë kompani. Kur ishte hapur kjo ofertë në tetor, Zyra e prokurimit të Komunës kishte bërë njoftim për përdorim të procedurës së përshpejtuar, duke arsyetuar që “shërbimet duhet të kryhen nga data 15 nëntor, pasi që kontratat paraprake kanë skaduar”.

Për këto tri pjesë kanë garuar këto kompani: 1. Grupi i kompanive “Afrim A. Beka BI” & “Alko Impex –General Construction” . 2. “Company Zuka Comerc”. 3. “Toifor”. 4. “Integral”. 5. Grupi i kompanive “Milenium Konstruction” & “Anuar”. 6. “Dradania”. 7. “V.Z Company”. 8. “El – Bau”. 9. NNSH “Vaakal”.

Mirëmbajtje së rrugëve brenda në zonat urbane, komuna ka planifikuar tu qaset me gjashtë kompani, pasi qytetin e ka ndarë në gjashtë zona. Kontratat janë lidhur në muajin gusht të këtij viti dhe kanë validitet 36 muaj. Vlera totale e kontratave është 1 milion e 583 mijë euro. Të gjitha këto kontrata quhen: “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit, debllokimi i kanalizimit atmosferik”.

Për pjesën e parë kontratë është lidhur me kompaninë “Dardania” në vlerë prej 261,722.50 euro. Për pjesën e dytë me kompaninë “El Bau”. Vlera e kontratës 245, 418.44 euro. Pjesën e tretë me kompaninë “Toifor”, në vlerë prej 409, 969.38 euro. Pjesën e katërt me grupin e kompanive “Niti-N” & Milenium Konstruction” shpk në vlerë prej 194, 391.28 euro. Pjesën e pestë kompaninë “Zahiri”, në vlerë prej 213, 680.72 euro. Pjesën e gjashtë me kompaninë “Ve Mor”, në vlerë prej 257, 543.06 euro.

Meqë nuk i kishte shkuar mirë me procedurat e prokurimit, në sezonin dimërorë të kaluar, Komuna kishte përdorur procedurë të negociuar për mirëmbajtjes se rrugëve në zonat urbane.

Ndërkohë, në të kaluarën bora ka ditur ta zë në befasi Komunën e Prishtinës.

loading…