Bolton vjen në Kosovë kur të hiqet taksa e të bëhet Qeveria

Në fund të gushtit pritej të realizohej një vizitë e rëndësishme në rajon, e një zyrtari të lartë amerikan.

John Bolton, këshilltari kryesor për siguri kombëtare i Presidentit amerikan, Donald Trump, do të vizitonte Prishtinën e Beogradin, për të folur rreth vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, një vizitë e tillë është anuluar dhe nuk do të realizohet këtë muaj, mëson ekskluzivisht KTV-ja.

Janë dy arsye kryesore për shtyrjen e udhëtimit: rënia e Qeverisë së Kosovës dhe vazhdimi i taksës.

Në një komunikim nga Uashingtoni, që KTV-ja e ka parë, thuhet se Boltoni mezi po pret të vijë, porse kjo do të ndodhë vetëm kur të krijohet një qeveri e re dhe të suspendohet taksa.

Vizitën e Boltonit e kishte paralajmëruar publikisht në fillim të këtij muaji, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Ai kishte thënë në një intervistë televizive në Serbi, se Boltoni do të vinte në fund të gushtit për të diskutuar rreth vazhdimit të dialogut, me shpresën që Prishtina do të lëvizte për taksën.

Boltoni kishte gjetur kohë ta takonte ministrin e Jashtëm serb, Daçiq, në margjinat e Konferencës globale kundër terrorizimit, që u mbajt në Uashington, gjatë korrikut.

Kryediplomati serb ka thënë se Boltoni e kupton pozicionin e Serbisë dhe interesimi i tij do të thotë që SHBA-ja nuk e sheh si të mbyllur problemin e Kosovës.

Boltoni, ish-ambasador i SHBA-së në OKB, njihet si kundërshtar i hapur i pavarësisë së Kosovës dhe tani është ndër njerëzit më të besueshëm të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

loading…