Bolton dhe Lavrov kanë folur për Kosovën, por s’kanë bërë marrëveshje

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i përgënjeshtroi informatat se shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov dhe këshilltari i presidentit amerikan, John Bolton, kanë bërë marrëveshje për zgjidhjen e kontesteve mes Serbisë dhe Kosovës, transmeton Gazeta Express.
Lavrovi dhe Boltoni, tha ai, për herë të parë kanë biseduar për Kosovën, por, siç porositi, “çka do që dikush të negociojë, marrëveshjen duhet ta bëjë Serbia”.

Presidenti serb njoftoi se ka marrë mesazh nga kryediplomati rus.

“Po jua përsëris: çka do që dikush të negociojë, marrëveshjen patjetër duhet ta bëjë Serbia, kurse ne jemi larg, tepër larg nga çfarëdo zgjidhje kompromise”, tha presidenti serb.

Prandaj, shtoi ai, është “shumë i brengosur për kërcënimet me formimin e ushtrisë së Kosovës, me punët lidhur me Interpolin, me ato që ndodhin rreth elektrosistemit, deri te ajo që Prishtina dëshiron ta përkufizojë dialogun”.

Ai shprehu shqetësim edhe për paralajmërimet se në Kuvendin e Kosovës do të vihet në rend dite ligji sipas të cilit do të dënohen sulmet mbi vlerat e luftës së UÇK-së.

“Kjo do të thotë se çdo serb që jeton në Kosovë e Metohi duhet patjetër t’i lavdërojë ato vlera”, tha Vuçiqi, duke shtuar se “kjo është papërgjegjësi që s’ka kufij”, se gjërat e tilla po e brengosin dhe se nuk e di si mund t’u përgjigjesh atyre.

“Prandaj do të shohim që ta ruajmë stabilitetin dhe paqen dhe në atë çmenduri, të cilën dikush po e gjeneron, ne kurrsesi të mos jemi pjesëmarrës”, tha presidenti serb.