Grupi ekstremist me bazë në Nigeri, Boko Haram, e ka marrë përgjegjësinë për rrëmbimin e qindra nxënësve javën e kaluar në rajonin Katsina të këtij shteti afrikan.
Fati i mbi 300 nxënësve ende nuk dihet, por të tjerët ia dolën të iknin. Më herët, autoritetet i fajësuan banditët për sulmin dhe rrëmbimin e nxënësve, shkruan BBC.
Ky grup ka qenë i njohur gjatë dekadës së fundit për rrëmbime në shkolla, përfshirë një rast të vitit 2014 në Chibok.
Në një mesazh me zë të liderit të grupit famëkeq, lideri i tij, Abubakar Shekau, tha: “Ajo që ndodhi në Katsina ishte përgjegjësi e jona”, duke shtuar se grupi i tij e kundërshton edukimin perëndimor.
Këtë vit, qindra njerëz në rajonin veriperëndimor të Nigerisë janë vrarë gjatë sulmeve për të cilat autoritetet i kanë fajësuar bandat kriminale, por deri tani nuk është e qartë nëse ato kanë lidhje me grupin Boko Haram.
Grupi famëkeq e ka nisur kryengritjen e armatosur që nga viti 2009, kryesisht në pjesën verilindore të Nigerisë. Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të shpërngulen për shkak të dhunës.







