Jorn Rohde

Bojkotimi nga Lista Serbe i shkarkimit të kryetarëve, ambasadori gjerman: Rast i qartë i presionit ndaj qytetarëve në veri

Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri të vendit.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

E lidhur me këtë qëndrim të Listës Serbe, ambasadori gjerman Jorn Rohde në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është shqetësuese kjo qasje e këtij subjekti.

“Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, tha ambasadori Rohde.

Ai ka thënë se politika e Listës Serbe në këta muaj mund të përshkruhet me dy fjalë “bojkot dhe dorëheqje”.

Rohde tutje ka thënë se ky është edhe një tjetër autogol nga Lista Serbe.

“Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’. Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi kryebashkiakë në veri që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha Rohde.