Bojkotimi i mësimit në “Sami Frashëri”, Ministria e Arsimit akuzon Komunën e Prishtinës

Tash e një javë afro një mijë nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri” s’është duke u zhvilluar procesi mësimor.

Kjo pasiqë mësimdhënësit po e kundërshtojnë emërtimin e drejtoreshës së re Fahrije Retkoceri.

Ata vlerësuan se Retkoceri u emërua jashtligjshëm, mirëpo në këtë mes ata që po e pësojnë më së shumti janë nxënësit.

Edona Kutleshi-Maliqaj, Këshilltare për media, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit në një përgjigje për IndeksOnline ka thënë se inspektorët e arsimit, fillimisht i kanë lëshuar komunës rekomandim për anulim të konkursit por komuna nuk ka reflektuar.

Sipas MASHT, Inspektorati i Arsimit ka ngritur kallëzim penal ndaj komunës së Prishtinës.

“Ju njoftojmë se e gjithë ecuria e procesit të përzgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore në Komunën e Prishtinës është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, që rregullon këtë segment. Për këtë proces,  inspektorët e arsimit, fillimisht i kanë lëshuar komunës rekomandim për anulim të konkursit e më pas kanë nxjerrë edhe vendim, por komuna nuk ka reflektuar. Kurse pas këtyre veprimeve, Inspektorati është detyruar të bëjë kallëzim penal ndaj Komunes se Prishtinës dhe me rastin jane duke u marrë institucionet kompetente. MASHTI vlerëson se procesi mësimor nuk duhet të pengohet nga askush dhe duhet të zhvillohet normalisht, sepse çështja e përzgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore tashmë është adresuar të institucionet kompetente”, thuhet në përgjigje.

Kutleshi-Maliqaj ritheksoj se MASHTI nuk është institucioni kompetent të bëjë shkarkimin e drejtorëve të shkollave sepse sipas ligjit, punëdhënës të tyre janë komunat e jo Ministria.

IndeksOnline ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë mirëpo të njëjtit tash e dy ditë nuk kanë kthyer përgjigje.