Gazetari dhe publicisti i njohur, Ben Blushi në një opinion ka shkruar për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës një ditore që pati te babai i tij i sëmur në Prishtinë.
Blushi ka shkruar se rrëmbimi i Zelenskyt nga Evropa i ngjan shumë rrëmbimit të Thaçit në kohën kur po shkonte të firmoste marrëveshjen e Paqes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.
Për krejt këto procese, Blushi ka fajësuar shtetet evropiane që sipas tij, fshiheshin pas Jack Smith.
“Pas tij ishin evropianët, gjermanët, francezët, hollandezët të cilët e burgosën Hashin Thaçin sepse menduan se ai po i bënte një favor Donald Trumpit duke i dhuruar një marrëveshje paqeje mes Serbisë dhe Kosovës, në prag të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë”, ka shkruar Blushi në një opinion të publikuar në Facebook.
“Hashim Thaçi u akuzua në 26 tetor 2020 në kulmin e fushatës presidenciale në Amerikë dhe u arrestua në 5 nëntor, dy ditë pasi Joe Biden kishte fituar zgjedhjet kundër Donald Trump”, ka shtuar gazetari Blushi.
“Pra në fillim e penguan të bëhej bashkëpuntor i Donald Trump dhe pastaj e ndëshkuan si bashkëpuntor të tij”, ka sqaruar ai.
Zelenskyn dhe Thaçin i ka ndërlidhur vetëm për postet si presidentë, sepse, sipas Blushit, nuk kanë fare ngjashmëri.
“I pari është duke humbur luftën me gjithë mbështetjen e gjithë botës, kurse i dyti e fitoi luftën megjithëse nuk kishte mbështetjen e gjithë botës. Edhe si karaktere ata të dy nuk ngjajnë fare”, ka shkruar Blushi.
“Zelensky ka qenë një komedian i shpifur që kërcente në haremet e Rusisë, kurse Hashim Thaçi ishte një luftëtar që doli në mal me armë dhe drejtoi një lëvizje çlirimtare, derisa e shpalli vendin e vet të pavarur. Pikërisht sepse nuk ngjajnë fare si karaktere, njëri është në burg pasi fitoi, kurse tjetri është i lirë dhe vazhdon të kërcejë edhe pse po humb”, ka shkruar publicisti i njohur shqiptar.
“Duke parë çfarë ndodhi këto ditë, është edhe më e qartë se Zelensky u rrëmbye me dëshirën e vet nga evropianët, të cilët e bindën të mos nënshkruante dhe të përdorte çdo truk për të sabotuar marrëveshjen e negociuar nga Trump, çka ai e bëri me sukses”, ka vlerësuar Blushi.
“Por meqë Zelensky dhe Hashim Thaçi nuk kanë të njëjtin plan, sepse njëri do ta vazhdojë luftën dhe tjetri do ta mbyllë i pari shkoi në Zyrën Ovale dhe e shkatërroi marrëveshjen për të cilën kishte rënë dakort, kurse i dyti është sot në burg sepse do ta nënshkruante marrëveshjen për të cilën kushte rënë dakort”, ka shkruar ai.
Blushi ka thënë se sikur Hashim Thaçi të kishte dëgjuar evropianët sot me siguri do ishte i lirë si Zelensky.
“Çështja është se të dyja këto raste që ngjajnë si dy pika uji, Evropa ka kërkuar me çdo kusht vazhdimin e konfliktit si në Ukrainë po ashtu edhe në Kosovë. Për shkakun e tyre, Ukraina vazhdon, ndërsa Kosova mund të shpërthejë nëse i lihet në dorë një grupi luftënxitësish, të cilët po bërtasin gjithë ditën se Rusia kërkon t’i pushtojë ndërkohë që kjo as nuk duket në horizont dhe as ka ndonjë shans të ndodhë”, ka shkruar ai.
Blushi ka vlerësuar se paniku qesharak i evropianëve bëhet edhe më mizor kur propozojnë një plan me katër pika për mbylljen e luftëns në Ukrainë, një plan të cilit i mungon pika e parë.







