Bloombergu tërhiqet nga gara presidenciale, i ofron mbështetje Bidenit

Miliarderi dhe ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Michael Bloomberg, i ka dhënë fund fushatës së tij presidenciale të mërkuren, duke ia ofruar mbështetjen Joe Bidenit, në garën e demokratëve që e vendos personin që do të përballet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit.

“Nuk ka më ndonjë mundësi për ta siguruar nominimin e demokratëve”, ka bërë të ditur Bloombergu përmes një deklarate, teksa ka dështuar që të sigurojë ndonjë fitore bindëse në debutimin e tij zgjedhor, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Duke e mbështetur Bidenin, Bloombergu ka thënë: “Do të punoj për ta bërë atë president të ardhshëm të SHBA-së”.

Largimi i Bloombergut i jep fund një strategjie të re zgjedhore, teksa ai kishte hequr dorë nga kandidimi në katër shtetet e para që votuan, duke u fokusuar në vend të tyre në garën e të së martes.