Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për DW, ka thënë se nuk është momenti të vazhdohet dialogu me Serbinë, pas zhvillimeve të fundit në vend.

“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson. Unë do të jap kontributin tim maksimal në këtë drejtim, që të diskutojmë së bashku me të gjithë, lidhur me atë se cilat do të duhet të ishin qëndrimet e Kosovës”, ka thënë Osmani në këtë intervistë.

Kjo ide fillimisht është prezantuar nga Ramush Haradinaj. AAK pas mbledhjes urgjente të Kryesisë më 5 nëntor, kishte kërkuar, veç tjerash, që të ndërpritet dialogu me Serbinë. Sipas deklaratës, AAK kishte kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara.

Në këtë deklaratë gjithashtu është kërkuar që qeveria të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re. Deklarata e Osmanit është një shenjë e mirë se spektri politik kosovar po shkon drejt unifikimit për temat e mëdha pas zhvillimeve me Gjykatën Speciale, një kërkesë kjo e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.