Tiranë

Bllokohet Unaza e Re, përplasje protestues-shoferë

Me thirrje “poshtë qeveria”, “Poshtë Edi Rama”, banorët e zonës së “Astirit” në Tiranë janë ngritur këtë mëngjes në protestë kundër projektit të unazës së madhe, prej të cilit duhet të shemben banesat e tyre

Banorët kanë bllokuar rrugën në zonën e Unazës, duke shkaktuar një kaos të vërtetë në trafik. Shoferë të bllokuar në mes të rrugës që janë detyruar të kalojnë nga korsia në korsi duke hipur mbi trotuar, për tu kthyer pas. Irritimi në radhët e tyre është i madh. Një shofer i bllokuar ka goditur në detyrë një operator televizioni duke i  thyer kamerën.

Banorët e quajnë vendimin e qeverisë për ti shembur banesat, të padrejtë, dhe thonë se nëse më parë nuk do të marrin dëmshpërblimin e plotë, nuk do të lejojnë zbatimin e projektit dhe nuk do të ndalin protestat. Për disa orë gjithçka në të dyja anët e rrugës vijon të jetë në kaos.

Në mbështetje të kauzës së tyre ka dalë edhe Partia Demokratike. Flamur Noka e konsideron çnjerëzore trajtimin që po u bëhet këtyre banorëve dhe thotë se asnjë përfaqësues i bashkisë apo qeverisë nuk shkon të bisedojë me ta.

“As nuk ka ardhur kush të bisedojë me ta. Të gjithë po protestojnë sepse po nxirren në rrugë. Nuk i kanë vlerësuar, dhe askush mesa duket s’ka ndërmend t’i kompensojë. Është një barbari ndaj tyre, për të mos thënë që kalon kufijtë, është edhe gjenocid ndaj këtyre banorëve. Ne jemi të vendosur t’i mbështesim. Kjo është çnjerëzore që ka ndodhur”, tha deputeti Flamur Noka.

Prej disa ditësh, banorët e Unazës së Re bllokojnë rrugën duke protestuar. Ata kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre, për ndërtimin e rrugës së re. Sipas banorëve, nuk janë kundër projektit, por kërkojnë kompensim të plotë të shtëpive.