Bllokohen xhirollogaritë bankare të Martin Berishajt në Mal të Zi

Autoritetet e Malit të Zi kanë bllokuar sot xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”, për shkak të një borxhi prej rreth 31 mijë eurove, raporton mediumi Press.co.me.

Kompania “MB Consulting” është pronë e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se përmes kompanisë së tij, e cila është e regjistruar në Podgoricë, ka pastruar rreth 600 mijë euro.

Sipas regjistrit të bizneseve në Mal të Zi, Berishaj e ka themeluar kompaninë “MB Consulting” në dhjetor të vitit 2016, shkruan Paparaci.

Sipas raportimeve të mediave sllovene, ambasadori dyshohet se i ka transferuar rreth 600,000 euro para të gatshme nga një llogari bankare në Mal të Zi në xhirollogaritë e politikanit slloven Robert Golob.

Berishaj ka mohuar të ketë marrë pjesë në pastrim parash dhe ka vazhduar aktivitetet e tij diplomatike në Zagreb sikurse të mos kishte ndodhur asgjë.

Që nga viti 1989, Berishaj është i përfshirë aktivisht në jetën kulturore në Slloveni dhe integrimin e shqiptarëve në jetën politike atje.