Opozita në Kuvendin

Bllokimi i marrëveshjeve ndërkombëtare pengesë për implementimin e shumë projekteve

Opozita në Kuvendin e Kosovës ka kohë që bojkoton votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo nga pozita po shihet si pengesë për implementimin e shumë projekteve të rëndësishme. Ndërkohë edhe njohës të ekonomisë vlerësojnë se opozita po gabon në mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi këto marrëveshje janë në të mirë të qytetarëve.

Opozita në Kuvend nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare. Shkak për këtë është pakënaqësia me punën e Qeverisë.

Por kjo nga njohës të çështjeve ekonomike po vlerësohet si gabim dhe e dëmshme për qytetarët e Kosovës.

Arian Zeka, kryetar i Odës Amerikane, për Radio Kosovën ka thënë se duke parë rëndësinë e këtyre marrëveshjeve, të gjitha partitë politike duhet të jenë më të vëmendshme dhe t’i përkrahin.

“Inatet politike apo mospajtimet politike, çojnë në çfarëdo arsyetimi për bllokadë tjetër, por së paku ky nuk do të ishte rasti kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare. Prandaj, besoj që të gjitha partitë politike do të duhej të ishin shumë më të vëmendshme për sa i përket rëndësisë që këto marrëveshje kanë për ekonomin e vendit”, ka thënë Zeka.

Ekonomisti, Ardijan Sahiti, thotë se është fatkeqësi mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kushdo që i mban pengë ato, duhet të mbajë përgjegjësi.

“Marrëveshjet e tilla mundësojnë të marrë më shumë frymë ekonomia e vendit, për shkak se janë marrëveshje që kanë ndikim në energji të ripërtërishme, transport dhe komunikacion. Kështu që është fatkeqësi që marrëveshjet e tilla mos të kalojnë, dhe kushdo që i mban pengë këto marrëveshje, duhet të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Sahiti.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi kur foli për investime kapitale, akuzoi opozitën se duke mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, është penguar implementimi i shumë projekteve të rëndësishme.

“Ju, si Kuvend dhe opozitë, nuk na keni ndihmuar në këtë aspekt, pra, keni qenë pengesë duke mos votuar marrëveshjet ndërkombëtare me muaj të tërë, dhe duke zvarritur projekte të rëndësishme”, ka thënë Rizvanolli.

Ndryshe për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës nevojiten 2/3, respektivisht votat e 80-të deputetëve.

BONUS VIDEO| AUV kreu 76 mijë inspektime në vitin 2023, asgjësoi mbi 1 milion produkte ushqimore