Komuna e Prishtinës do të dorëzojë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të premten (sot). Çështja ka të bëjë me buxhetin e kryeqytetit.
“Ju njoftojmë se nesër, më 05 shtator 2025, në ora 10:00, Kryetari i Kryeqytetit, z. Përparim Rama, do të dorëzojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, para objektit të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari Rama së bashku me Nënkryetarin e Kryeqytetit, z. Shkëmb Manaj, do të mbajnë një konferencë për media”, u tha në njoftimin e Zyrës për Komunikim të Komunës së Prishtinës të enjten në mbrëmje.
Në fillim të korrikut, kryetari Rama pati akuzuar Qeverinë se po bllokon qëllimshëm kryeqytetin. Ai pati thënë se ndalesa është e jashtëligjshme dhe e motivuar politikisht. Rama pati publikuar edhe një letër drejtuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Aty Rama pati thënë se problemi financiar i kryeqytetit është pasojë e mosfunksionalizimit të institucioneve qendrore, që nuk kanë bërë ndryshimet në Ligjin për Buxhetin 2025. Në letër, Rama kishte shkruar po ashtu se Ministria s’po ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje.







