Anthony Blinken

Blinkeni, njëjtë sikurse Bideni, i kërkon Serbisë që ta njohë Kosovën

Blinken ka uruar Serbinë në Ditën e shtetësisë, me ç’rast i kërkon njohjen e Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, teksa ka uruar Serbinë në ditën e shtetësisë së saj, ka kërkuar edhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën.

“Vendet tona kanë ndërtuar lidhje të forta gjatë 140 viteve të fundit dhe Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale”.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, shkruan Departamenti amerikan i Shtetit.

“Partneriteti ynë ekonomik me Serbinë u rrit ndjeshëm në vitin 2021, me investime të reja në sektorët e infrastrukturës, teknologjisë dhe bujqësisë. Ne gjithashtu rritëm bashkëpunimin tonë dypalësh të mbrojtjes, duke festuar 15-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror, duke mbajtur një stërvitje të rëndësishme dypalëshe ajrore dhe duke kryer konsultime ushtarake dypalëshe të nivelit të lartë”.

Një kërkesë të njëjtë Serbisë ia ka parashtruar edhe presidenti amerikan, Joe Biden, ditë më parë.