Antony Blinken

Blinken uron 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: Krenarë që ju quajmë aleatë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar shqiptarët me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë.

Përmes një deklarate të DASH, zyrtari i lartë amerikan vlerëson Shqipërinë si një vend të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.

Blinken risjell në vëmendje pritjen që shqiptarët u bënë refugjatëve afganë, ‘siç bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe grupe të tjera që ikin nga persekutimi gjatë dekadave të fundit’.

Sekretari amerikan i Shtetit shprehet më tej se SHBA janë të përkushtuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomike dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian

“Ne presim të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë që e quajmë Shqipërinë mik, partner dhe aleat”, mbyllet deklarata e Blinken./euronews/