Antony Blinken

Blinken: Palestinezët, ndër myslimanët më të rrezikuar në botë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka theksuar gjendjen e vështirë të palestinezëve në Bregun Perëndimor së bashku me myslimanët që vuajnë në disa nga konfliktet më të këqija në botë, në një deklaratë me rastin e Fitër Bajramit.

“Mendimet tona shkojnë për gjendjen e vështirë të palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor, civilët në Siri, gratë që vuajnë nën talebanët në Afganistan, ujgurët në Republikën Popullore të Kinës, Rohingya në Birmani dhe Bangladesh dhe shumë të tjerë”, ka thënë Blinken në një video.

Vendimi për të përkujtuar palestinezët e Bregut Perëndimor nënvizon seriozitetin me të cilin administrata Biden e sheh gjendjen e vështirë palestineze në Bregun Perëndimor, ku ata jetojnë nën pushtimin izraelit.

“Shumë njerëz kanë humbur të dashurit gjatë vitit të kaluar dhe shumë janë të shqetësuar për sigurinë e familjeve të tyre sot. Shpresoj se Fitër Bajrami i këtij viti shënon një moment në rrugën drejt kohërave të ardhshme, më të lira dhe më paqësore”, ka thënë tutje Blinken.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut në mbarë botën, për të ofruar ndihmë humanitare aty ku është dëshpërimisht e nevojshme dhe për të punuar për paqe të qëndrueshme.