Blinken arrin në Turqi, me homologun turk udhëtojnë me helikopter drejt zonave të prekura nga tërmetet

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka udhëtuar sot për në Turqi për një vizitë dyditore, ku diskutoi për atë sesi Washingtoni do ta ndihmojë Turqinë që u godit nga tërmetet shkatërruese.

Diplomati më i lartë amerikan ka zbritur me aeroplan në bazën ajrore Incirlik në jug të provincës Adana, ku u prit nga ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.

Dy diplomatët e lartë me helikopter udhëtuan drejt zonave të goditura nga tërmetet. Atje pritet të zhvillojnë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Blinken gjatë vizitës dyditore në Turqi, do të shfaq solidaritetin dhe t’i shprehë ngushëllime popullit turk pas katastrofës natyrore që i kushtoi me jetë dhjetëra mijëra qytetarëve.

Pas tërmeteve që e goditën Turqinë dy javë më parë, Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para që dërguan ekipet e tyre të shpëtimit për t’i asistuar kolegët e tyre në Turqi në shpëtimin e qytetarëve që kishin mbetur nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Madje SHBA-të dërguan edhe makineri speciale për thyerjen e betonit që kapin vlerën e 85 milionë dollarëve, si dhe ndihmë humanitare për të prekurit nga tërmeti edhe në Siri.