Bleu një makinë TukTuk pasi ishte dehur, tani do që ta thyejë rekordin e shpejtësisë (FOTO)

Një “fanatik i makinave të shpejta” është duke punuar në ndërrimin e motorit të makinës së tij TukTuk, të cilën e bleu sa ishte në gjendje të dehur në eBay, për ta thyer rekordin e shpejtësisë dhe që të jetë pjesë e librit Guinness.

Matt Everard, 46 vjeçar e bleu një makinë të vitit 1971, e tipit TukTuk e njohur ndryshe si taksia e Bankogut, përmes platformës së internetit eBay, për 20.000 dollarë.

Ai tani është bashkuar me kushëririn e tij, Russell Shearman, 49 vjeçar, për të tentuar që ta thyejnë rekordin e tanishëm të makinës TukTuk, rekord ky i cili është 109 km/h.

Babai i dy fëmijëve, Everard tha se “Paramendojeni t’i thoni gruas tënde, pasi që ajo shkoi në gjumë, ti filloje të pije, dhe unë përfundova duke e blerë një makinë Tailandeze në internet”.

Sipas planit të tij, Everard shpreson që pas rregullimit dhe ndërrimit të motorit, makina do të arrijë shpejtësinë 145 km/h.

Ai vetë është një menaxher i kompanie benzine, i cili në një periudhë kohe kishte arritur që të ketë tetë makina, dy varka, një xhet ski dhe një motor.

Ai thotë se inspirimi i ka ardhur nga babai i tij, i cili gjithashtu i adhuronte shpejtësitë dhe në jetën e tij kishte pasur në pronësi Jaguar, Ferrari dhe një Porshe.