Bletarët e Ballkanit kërkojnë që bleta mjaltëdhënëse të shpallet e rrezikuar

Shoqatat bletare nga Ballkani kërkojnë që bleta mjaltëdhënëse të shpallet e rrezikuar dhe paralajmërojnë se do të lobojnë në Bruksel, në mënyrë që me këtë kërkesë të njoftohen edhe qeveritë e shumë shteteve të Evropës.
Kërkesa e bletarëve është në Deklaratën të cilën kohë më parë në Lubjanë e nënshkruan kryetarët e shoqatave kombëtare bletare, ndërsa mes tyre nënshkrues është edhe Mende Trajkovski, kryetar i Unionit të shoqatave bletare të Maqedonisë.

“Pesë-gjashtë vitet e fundit janë jashtëzakonisht të vështira dhe negativisht ndikojnë ndaj situatave në bletari. Shkaktarë të këtyre gjendjeve janë ndryshimet klimatike, ngrohja globale dhe investimi i pamjaftueshëm në bletari. Prandaj kohë më parë në Slloveni nënshkruam Deklaratë me të cilën unionet e bletarëve nga shtetet e Ballkanit kërkojnë që bleta mjaltëdhënëse të shpallet e rrezikuar. Me këtë vendim do t’i kushtohet më shumë vëmendje bletës mjaltëdhënëse. Për këtë do të informohen edhe institucionet kompetente në Bruksel, ndërsa përmes tyre edhe qeveritë e shteteve anëtare të BE-së”, deklaroi Trajkovski.
Në manifestimin tradicional “Ditët e bletarisë së Maqedonisë” që filloi sot në Manastir dhe që do të zgjasë deri më 14 tetor janë 30 pjesëmarrës nga Maqedonia, si dhe bashkëpunëtorë të Unionit nacional të shoqatave bletare nga Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Greqia.

“Në Maqedoni do të iniciojmë aksione që të vazhdojë me shumim dhe veçanërisht të intensifikohet shumimi me bagrem, sepse ai ndikon drejtpërdrejtë për rritje të rendimentit në bletari. Kjo është me rëndësi për rreth 250.000 familje të bletëve për të cilat kujdesen rreth 7.000 bletarë nga Maqedonia”, tha Trajkovski.
Sipas të dhënave të shoqatës bletare nga Manastiri “Nektar”, në rajonin e Pellagonisë ka rreth 15.000 familje bletare për të cilat kujdesen mbi 400 bletarë.